Artikujt e fundit
[ Më tepër në Seksionin e ri ]
ArMeKo-PHP
Mediet Amerikane: Gazetarja e Radios Evropa e Lirë prej 6 muajsh në burg në Rusi.
Të enjten u bënë 6 muaj që një gazetare amerikane qëndron pas hekurave në Rusi, për akuza që grupet që mbështesin lirinë e shtypit i kanë dënuar si false dhe të motivuara politikisht. Alsu Kurmasheva, redaktore në Shërbimin Tatar të radios simotër të Zërit të Amerikës, Radios Evropa e Lirë, u arrestua më 18 tetor të vitit 2023 dhe që atëherë mbahet në paraburgim. Personat që kanë nënshtetësi të dyfishtë amerikane dhe ruse akuzohen nëse nuk regjistrohen si “agjent i huaj” dhe për përhapjen e asaj që Moska e sheh si informacion të rremë për ushtrinë ruse. Zonja Kurmasheva dhe Evropa e Lirë kanë hedhur poshtë akuzat kundër saj, për të cilat parashikohet një dënim prej 15 vitesh burg. Ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy i tha Zërit të Amerikës në një deklaratë të dërguar me e-mail se rastet e të gjithë shtetasve amerikanë të ndaluar në Rusi kanë vëmendjen e saj të plotë. “Gjashtë muaj më pas, ne mbetemi thellësisht të shqetësuar nga ndalimi i Alsus”, tha Ambasadorja Tracy. “Ne kemi qenë të zëshëm në dënimin e përpjekjeve të vazhdueshme të Kremlinit për të heshtur, frikësuar dhe ndëshkuar gazetarët, zërat e shoqërisë civile dhe rusët e zakonshëm që flasin kundër luftës së Kremlinit në Ukrainë. Grupet ndërkombëtare për lirinë e shtypit kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të zonjës Kurmasheva. “Gjashtë-mujori i ndalimit të Alsusë është i rëndësishëm, sepse ajo nuk duhet të ishte burgosur as për një ditë të vetme. Është një rast absolutisht i padrejtë, absurd me akuza të fabrikuara”, tha Gulnoza Said, koordinatore e programit për Evropën dhe Azinë Qendrore në Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ). “Alsuja duhet të lirohet menjëherë nga burgu dhe të jetë në gjendje të udhëtojë përsëri në Pragë dhe të shohë familjen e saj”, tha ajo për Zërin e Amerikës nga Nju Jorku. Ambasada e Rusisë në Uashington nuk iu përgjigj kërkesës për koment të Zërit të Amerikës të dërguar me postë elektronike. Vizitë Urgjente Me banim në Pragë, zonja Kurmasheva udhëtoi në Rusi në maj të vitit 2023 për një urgjencë familjare. Pasaportat e saj iu konfiskuan kur ajo u përpoq të largohej nga vendi në muajin qershor. Ajo priste që t'i ktheheshin pasaportat kur u arrestua rreth katër muaj më vonë. Në fillim të prillit, paraburgimi i gazetarës Kurmasheva u shty sërish, këtë herë deri në qershor. “Nuk është një proces ligjor, është një dredhi politike dhe Alsuja dhe familja e saj po paguajnë pa asnjë arsye një çmim të tmerrshëm. Rusia duhet t'i japë fund këtij mashtrimi dhe ta lirojë menjëherë atë pa kushte”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë Stephen Capus në një deklaratë në lidhje me zgjatjen e fundit të paraburgimit.
Është formuar ditën E Premte , me datë 19 Prill 2024 në Orën 13:38:11 nga armeko
Sa ju pëlqeu ky artikull?
Zgjidhni ju këtu më posht dhe vendosni me sa yje e pelqeni artikullin:
I Shkëlqyeshëm
Shumë i Mirë
I Mirë
Normal
Nuk është i mirë
Mesatarja: 0. || Është Votuar: 0.
Komentimet lejohen vetëm për të rregjistruarit, regjistrohu

Të gjitha përpunimet në dizenjo dhe formimet, thirrjet, komandat nëpërmjet një versioni të ri në PHP ***** ArMeKo-PHP ***** janë bërë dhe i ka të gjitha të drejtat:
Arben Mehmet Kortoçi © 2008.---.
Tërheqja e kësaj faqje u bë për: 0.66 Sekonta